Lëvizja e Turqisë për gazin në Egje rrit tensionet me Greqinë

Një raport i publikuar nga Bloomberg ka ngritur alarmin për një nismë të re të Turqisë, e cila mund të përshkallëzojë tensionet me Greqinë në rajonin e Detit Egje dhe Mesdheut Lindor.

Sipas raportit, Ankaraja po përgatitet të dërgojë në parlament një projektligj që synon vendosjen e juridiksionit detar mbi zona të diskutueshme, të cilat besohet se përmbajnë rezerva të rëndësishme gazi natyror.

Burime të cituara nga media ndërkombëtare thonë se kjo lëvizje synon të forcojë pretendimet e Turqisë mbi burimet energjetike në rajon dhe të formalizojë të drejtat e saj mbi zonat detare të kontestuara.

Raporti thekson se nuk është ende e qartë se çfarë do të përfshijë konkretisht projektligji, por kujton se Turqia ka dorëzuar më herët në Kombet e Bashkuara koordinatat e pretendimeve të saj detare në Mesdheun Lindor, të kundërshtuara nga pala greke.

Në Detin Egje, tensionet mbeten të larta, pasi Ankaraja vazhdon të vërë në dyshim jo vetëm të drejtat detare të Greqisë, por edhe sovranitetin mbi disa ishuj.

Sipas vlerësimeve, kjo iniciativë shihet edhe si një përgjigje ndaj marrëveshjeve të fundit të Athinës, përfshirë delimitimin detar me Egjiptin dhe bashkëpunimin energjetik me Chevron për eksplorime pranë Kretës.