Një atentat i rëndë me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e kësaj të mërkure qytetin e Sarandës, ku ka mbetur i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili, i njohur si pronar i një karburanti në zonë.
Sipas të dhënave paraprake, viktima është qëlluar me armë zjarri në kokë, ndërsa dyshohet se autorët e kanë ndjekur dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ka shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët në zonë.

Menjëherë pas atentatit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë së Shtetit, të cilat kanë rrethuar të gjithë perimetrin dhe kanë nisur kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, ndërsa janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe po merren në pyetje persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Burime paraprake bëjnë me dije se hetuesit po verifikojnë disa pista, përfshirë konfliktet e mundshme personale apo motive që lidhen me aktivitetin e biznesit të viktimës.
Saranda është blinduar nga kontrollet policore, ndërsa autorët e atentatit vijojnë të jenë në arrati.









