Alarm për hantavirusin? – OBSH qetëson botën: “Nuk është një tjetër Covid”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar pas shqetësimeve të krijuara nga rastet e raportuara me hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius, duke theksuar se situata aktuale nuk përbën rrezik për një pandemi të ngjashme me COVID-19.

Sipas OBSH-së, mënyra e transmetimit të hantavirusit është krejtësisht ndryshe nga ajo e koronavirusit dhe zakonisht kërkon kontakt të zgjatur me burimin e infeksionit, kryesisht brejtës të infektuar ose ambientet ku ata qëndrojnë.

Deri tani janë konfirmuar pesë nga tetë rastet e dyshuara në bordin e anijes, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se mund të identifikohen edhe raste të tjera për shkak të periudhës së gjatë të inkubacionit, e cila mund të zgjasë deri në gjashtë javë.

OBSH theksoi se niveli i rrezikut për shëndetin publik mbetet i ulët, përfshirë edhe për Ishujt Kanarie, drejt të cilëve po lundron aktualisht anija turistike.

Ndërkohë, hetimet për origjinën e shpërthimit vijojnë ende. Sipas të dhënave paraprake, çifti që dyshohet se u infektua fillimisht kishte vizituar zona ku ishte e pranishme një specie miu e njohur si bartëse e hantavirusit.

Autoritetet shëndetësore po vijojnë gjurmimin e kontakteve dhe analizimin e rrethanave të infektimit, ndërsa OBSH apelon për qetësi dhe kujdes, duke theksuar se situata është nën monitorim të vazhdueshëm.