Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka njoftuar nisjen e një forme të re komunikimi mes Policisë së Shtetit, mediave dhe publikut, duke e cilësuar këtë si një “kapitull të ri” në raportin me transparencën dhe informimin publik.
Në një deklaratë për mediat, Hita theksoi se institucioni synon të ofrojë informacion më të saktë, më të verifikuar dhe më profesional për qytetarët, me qëllim shmangien e perceptimit negativ dhe kriminalizimit të shoqërisë.
Sipas kreut të policisë, ndryshimet vijnë pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve për mënyrën se si raportohen ngjarjet kriminale dhe ndikimin që ato kanë në opinionin publik.
“Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve dhe transparenca mbetet thelbësore për ndërtimin e besimit. Nuk po tërhiqemi nga transparenca, përkundrazi, po kalojmë drejt një komunikimi më cilësor dhe më të përgjegjshëm”, deklaroi Hita.
Ai bëri të ditur se, në kuadër të strategjisë së re, statistikat mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin do të publikohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa për ngjarjet në zhvillim do të ketë informacion në kohë reale nga drejtuesit policorë në terren dhe zëdhënësit zyrtarë.
Gjithashtu, drejtoritë vendore të policisë do të zhvillojnë konferenca mujore për të prezantuar rezultatet dhe sfidat në çdo qark, ndërsa për operacionet dhe ngjarjet me impakt të lartë publik do të ketë komunikime të plota dhe të menjëhershme përmes kanaleve zyrtare.
Hita tha se modeli i ri është frymëzuar nga praktikat më të mira europiane dhe synon të rrisë profesionalizmin, besueshmërinë dhe transparencën e Policisë së Shtetit ndaj publikut.









