Monumenti “Nënë Shqipëri” mbushet me lule – Sipas traditës Begaj dhe Rama nderojnë Dëshmorët e Kombit në 5 Maj

Në kuadër të Ditës së Dëshmorëve, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit u zhvillua sipas traditës së përvitshme një ceremoni homazhesh, ku morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe nënkryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu.

Së bashku me përfaqësues të institucioneve shtetërore, ata vendosën buqeta me lule pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për të rënët në luftën për liri.

5 Maji shënon Ditën e Dëshmorëve të Kombit, një datë e vendosur në kujtim të vitit 1942, kur u vra Qemal Stafa, një nga figurat e njohura të lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe simbol i rezistencës antifashiste në Shqipëri.

Kjo ditë përkujton jo vetëm figurën e tij, por edhe sakrificën e një brezi të tërë shqiptarësh që dhanë jetën për çlirimin e vendit nga pushtimi fashist. Ceremonia e sotme u zhvillua në një atmosferë nderimi dhe reflektimi mbi historinë dhe sakrificat kombëtare.