Mbretërit e Italisë/ Inter rrëmben titullin e 21-të historik pasi mposhti Parmën në San Siro…

Inter është shpallur zyrtarisht kampion i Serie A, duke vulosur një sezon spektakolar me triumfin ndaj Parma në stadiumin legjendar San Siro. Zikaltërit sigurojnë kështu titullin e 21-të në historinë e klubit, duke rikthyer lavdinë në Milano pas një sezoni të kaluar plot zhgënjime.

Ky sukses shënon një moment historik në disa drejtime: është titulli i parë si trajner për Cristian Chivu, i pari si president për Giuseppe Marotta dhe njëkohësisht triumfi i parë nën drejtimin e pronarëve amerikanë. Një rilindje e vërtetë për klubin zikaltër, që ka ditur të reagojë fuqishëm pas dështimeve të një viti më parë.

Ndeshja vendimtare ndaj Parmës u shoqërua me emocione të forta: nga njëra anë atmosfera elektrizuese në stadium dhe pritja për festën e madhe, nga ana tjetër përqendrimi maksimal për të mos rrezikuar asgjë. Interit i mjaftonte edhe një barazim për të siguruar matematikisht titullin, por në fushë skuadra e Chivu-t zgjodhi të mos bëjë llogari.

Protagonist absolut ishte Nicolò Barella, i cili dominoi mesfushën me energji dhe lidership, duke udhëhequr skuadrën drejt fitores. Goli i avantazhit erdhi nga Marcus Thuram, që shënoi për të pestën ndeshje radhazi, duke ndezur festën në shkallët e “San Siro”.

Në pjesën e dytë, pavarësisht rezistencës së Parmës, Interi mbajti kontrollin e lojës dhe vulosi gjithçka me golin e Henrikh Mkhitaryan për rezultatin 2-0. Në atë moment, titulli mori formë zyrtare dhe festa shpërtheu si kurrë më parë.

Për Chivu-n, ky triumf ka një domethënie të veçantë: ai hyn në histori si një nga të rrallët që e fitojnë kampionatin si lojtar dhe si trajner me të njëjtin klub. Ndërsa për Interin, ky sukses shënon rikthimin në fronin e futbollit italian dhe hapjen e një cikli të ri dominimi.

Milano është zhytur në festë zikaltërit janë sërish mbretërit e Italisë!