Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr rreth 5000 trupa nga territori gjerman, duke e cilësuar këtë hap si të pritshëm dhe të parashikueshëm.
Sipas Pistorius, ky zhvillim duhet të shërbejë si një sinjal i qartë për vendet evropiane që të rrisin përgjegjësinë për sigurinë e tyre. Ai theksoi se Evropa duhet të përshpejtojë forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të investojë më shumë në ushtri dhe infrastrukturë sigurie.
Ministri gjerman bëri të ditur se Berlini do të thellojë bashkëpunimin me partnerët kryesorë evropianë në kuadër të të ashtuquajturit “Grupi i Pestëve”, ku përfshihen Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, për të garantuar stabilitetin dhe mbrojtjen në rajon.
Ndërkohë, Pentagoni ka konfirmuar se tërheqja e trupave do të realizohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, si pjesë e një rishikimi strategjik të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Pavarësisht këtij reduktimi, Gjermania mbetet një nga bazat më të rëndësishme të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, duke luajtur rol kyç në operacionet e NATO dhe në arkitekturën e sigurisë evropiane.









