Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shpallur një masë të fortë tregtare ndaj Bashkimit Evropian, duke njoftuar rritjen e tarifave për automjetet evropiane në 25%.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi javën e ardhshme dhe prek drejtpërdrejt makinat dhe kamionët që importohen në SHBA nga vendet e BE-së.
Sipas Trump, kjo lëvizje vjen si reagim ndaj asaj që ai e cilëson si mosrespektim të marrëveshjes tregtare nga ana e BE-së. Ai theksoi se masa është e justifikuar dhe në përputhje me marrëveshjet ekzistuese mes dy palëve.
Presidenti amerikan nënvizoi gjithashtu se kompanitë evropiane mund të shmangin tarifat nëse prodhojnë automjetet e tyre brenda territorit amerikan, duke e paraqitur këtë si një nxitje për investime dhe krijim vendesh pune në SHBA.
Trump deklaroi se industria automobilistike në vend është në një moment historik, me investime që sipas tij kalojnë 100 miliardë dollarë dhe me fabrika të reja në ndërtim, të cilat pritet të hapen së shpejti.
Kjo lëvizje rrezikon të përshkallëzojë tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, duke hapur një kapitull të ri përplasjesh ekonomike mes dy aleatëve kryesorë globalë.









