Një sulm i ri me dronë ukrainas ka goditur portin strategjik rus të Tuapse në Detin e Zi, duke shënuar goditjen e katërt brenda një jave në të njëjtën zonë.
Sipas autoriteteve lokale në rajonin e Krasnodarit, sulmi shkaktoi zjarr në një terminal portual, por nuk raportohet për viktima. Në vendngjarje janë angazhuar 128 zjarrfikës dhe 41 mjete për shuarjen e flakëve.
Qyteti i Tuapse është bërë objekt i përsëritur sulmesh gjatë ditëve të fundit, kryesisht ndaj infrastrukturës së naftës, duke shkaktuar ndërprerje të aktivitetit dhe masa të rrepta për banorët, përfshirë kufizime në lëvizje dhe paralajmërime për ndotje të ujit dhe ajrit.
Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajon, ndërsa janë raportuar edhe dëme mjedisore nga derdhjet e naftës përgjatë bregdetit. Ekipet e emergjencës po punojnë për pastrimin e zonave të kontaminuara, ku janë hequr mijëra metra kub material të ndotur.
Banorëve u është kërkuar të përdorin vetëm ujë të ambalazhuar dhe të shmangin daljet e panevojshme, ndërsa disa shërbime publike dhe festimet lokale janë pezulluar.
Sulme të ngjashme janë raportuar edhe në rajone të tjera të Rusisë, përfshirë zona në Urale dhe jug të vendit, duke goditur rafineri dhe objekte energjetike.
Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar drejtpërdrejt mbi ngjarjen, por në javët e fundit Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke synuar rafineritë, depot e karburantit dhe portet.









