Një grup kongresmenësh amerikanë ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Iniciativa është ndërmarrë nga kongresmeni Keith Self, së bashku me Ritchie Torres dhe Mike Lawler. Dokumenti vlerëson progresin demokratik të Kosovës, kontrollin civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesën multietnike si baza të forta për anëtarësim në aleancë.
Sipas rezolutës, përfshirja e Kosovës në NATO do të shërbente si faktor stabiliteti në Ballkan dhe si kundërpeshë ndaj përpjekjeve për destabilizim në rajon.
Në dokument theksohet gjithashtu se Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur nga mbi 100 shtete, përballet ende me pengesa për anëtarësim për shkak të mungesës së njohjes nga disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën.
Rezoluta u bën thirrje këtyre vendeve që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për avancimin e saj drejt aleancës.
Po ashtu, dokumenti thekson rëndësinë e pranisë së vazhdueshme të trupave amerikane në misionin KFOR, duke e konsideruar atë jetike për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Rezoluta nënvizon gjithashtu se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten ende të pazgjidhura dhe se prania ushtarake ndërkombëtare mbetet e domosdoshme për sigurinë në terren.









