Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, ka vlerësuar Bashkimin Evropian si një “bekim” për Shqipërinë dhe vendet e rajonit, por njëkohësisht ka kritikuar ritmin e ngadaltë të procesit të zgjerimit.
Sipas tij, metoda evropiane për pranimin e anëtarëve të rinj mbetet e mbushur me pengesa dhe nuk ecën me shpejtësinë e nevojshme për zhvillimet aktuale.
Rama theksoi se qëndrimi i Bashkimit Evropian ka ndryshuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, duke e bërë më të qartë rëndësinë e integrimit dhe stabilitetit në kontinent.
“BE-ja është një bekim për ne; roli i saj është shumë i dobishëm për ndërtimin e institucioneve. Është një proces i ndërlikuar, por funksionon. Falë tij, ne kemi ndryshuar,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se më herët BE-ja kishte qëndrime të drejta në parim, por pa veprime konkrete, ndërsa situata e krijuar nga lufta në Ukrainë ka ndryshuar këtë qasje.
Në vijim, kryeministri bëri thirrje për përshpejtim të procesit të zgjerimit, duke theksuar se vendet kandidate duhet të ecin përpara pa pengesa të panevojshme burokratike.
“Ne duhet të bëjmë atë që duhet të bëjmë dhe të ecim përpara,” tha ai, duke shtuar se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një “Gjermani”, por mund të afrohet me modele më të thjeshta dhe funksionale evropiane.









