Bashkitë e vogla në krizë stafi” – bashkëkryetari i PS në komision, Arbjan Mazniku paralajmëron ndryshime të forta në reformën territoriale

Bashkëkryetari i PS për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku, ka ngritur shqetësimin për funksionimin e bashkive të vogla, duke theksuar se ato përballen me një strukturë stafi joefikase dhe kosto të larta operimi.

Sipas tij, problemi qëndron te raporti disproporcional mes numrit të punonjësve dhe popullsisë që shërbejnë. Edhe në bashki me pak banorë, disa funksione bazë kërkojnë të njëjtin numër minimal punonjësish, çka rrit ndjeshëm kostot për frymë.

Mazniku theksoi se kjo situatë kërkon zgjidhje konkrete dhe përmendi dy alternativa kryesore: bashkëpunimin e bashkive të vogla me ato më të mëdha për ofrimin e shërbimeve, ose ndërtimin e një modeli me dy nivele qeverisjeje, të ngjashëm me vende si Italia, Kroacia apo Greqia.

Ai nënvizoi gjithashtu se zhvillimi i pabarabartë territorial ka krijuar diferenca të mëdha mes bashkive, ku ato të mëdha arrijnë të ofrojnë shërbime të plota, ndërsa të voglat hasin vështirësi serioze.

Në këtë kontekst, një nga zgjidhjet e propozuara është edhe rritja e shërbimeve online, për të shmangur lëvizjet e gjata të qytetarëve drejt qendrave më të mëdha urbane.