Biznesmeni Arbër Abazi paraqitet në SPAK – Largohet me nxitim nga ambientet e institucionit

Biznesmeni Arbër Abazi është paraqitur këtë të enjte në ambientet e SPAK, në një zhvillim që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik për shkak të profilit të tij në fushën e tenderave dhe ndërtimit.

Pas qëndrimit në institucion, Abazi është parë duke u larguar me nxitim nga godina, në një përpjekje të dukshme për të shmangur kontaktin me gazetarët që ndodheshin jashtë. Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e thirrjes së tij nga Prokuroria e Posaçme.

Arbër Abazi njihet si pronar i kompanisë Alko Impex Construction, një subjekt që ka qenë shpesh në qendër të raportimeve mediatike për shkak të numrit të lartë të kontratave publike të fituara në disa bashki të vendit. Aktiviteti i kompanisë përfshin projekte në fusha si pastrimi urban, mirëmbajtja e infrastrukturës dhe shërbimet publike.

Emri i tij është lidhur publikisht edhe me ish-deputetin Sadri Abazi, lidhje familjare që ka nxitur diskutime dhe polemika mbi mënyrën e përfitimit të tenderave dhe dyshime për favorizim.

Më herët, kompania e tij ka fituar edhe një kontratë të rëndësishme nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit për pastrimin dhe mirëmbajtjen e vijës bregdetare në zonat e Vlorës, Himarës dhe Sarandës, me një vlerë të konsiderueshme financiare.

Ndërkohë, në bashkëpunim me kompani të tjera, disa prej të cilave të lidhura me të njëjtin biznesmen, “Alko Impex Construction” rezulton të ketë përfituar dhjetëra kontrata publike me vlera që arrijnë në miliarda lekë.