Garë pa rivalë në PD? – Sot mbyllet afati për dorëzimin e kandidaturave për kreun e partisë.

Sot në mesditë përfundon zyrtarisht afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të PD, duke vulosur një proces që deri tani duket pa garë reale.

Deri në orët e fundit para mbylljes së afatit, i vetmi emër i konfirmuar në këtë garë është ai i liderit historik të demokratëve, Sali Berisha, i cili synon të marrë drejtimin e partisë edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar.

Sipas udhëzimit zyrtar të miratuar më 18 mars nga strukturat e PD-së, çdo kandidat duhet të dorëzojë dokumentacionin përkatës deri në orën 12:00 të datës 30 prill 2026. Kriteret për kandidim janë të qarta dhe përfshijnë një angazhim minimal 10-vjeçar në parti, eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal, si dhe një profil të lartë publik e politik. Po ashtu, kandidatët duhet të plotësojnë formularin e pastërtisë së figurës dhe të mos preken nga ligji i dekriminalizimit.

Ndërkohë, edhe pse publikisht është përmendur si kandidat potencial, ish-deputeti Ervin Salianji nuk mund të jetë pjesë e garës, pasi është përjashtuar më herët nga partia, çka e përjashton automatikisht nga çdo proces kandidimi.

Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së janë caktuar të zhvillohen më 23 maj, ndërsa më 30 maj pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i partisë për të diskutuar drejtimin politik dhe ndryshimet në strukturat drejtuese.

Dominimi i Sali Berishës në këtë proces lidhet edhe me historinë e tij të gjatë në krye të demokratëve. Ai ka qenë një nga figurat themeluese të PD-së që nga viti 1990 dhe ka mbajtur disa herë drejtimin e saj ndër vite, përfshirë rikthimin në krye të partisë në vitin 2022 pas lëvizjes “Foltorja”.

Në mungesë të rivalëve të tjerë të konfirmuar, gara për kreun e Partisë Demokratike, pritet të jetë thjesht një formalitet, duke e çuar Berishën drejt një tjetër mandati në drejtimin e opozitës shqiptare.