SHBA ultimatum aleatëve – Sekretari amerikan i Mbrojtjes Hegseth: Investoni në mbrojtje ose përballuni me sanksione!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dhënë një mesazh të fortë ndaj aleatëve të Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar se mbështetja e Uashingtonit nuk do të jetë më automatike për vendet që nuk investojnë seriozisht në mbrojtjen e tyre.

Gjatë një dëshmie përpara Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ai theksoi se SHBA do të qëndrojnë krah për krah me aleatët që rrisin kapacitetet ushtarake dhe kontribuojnë në sigurinë kolektive, duke përmendur si shembuj Izraeli, Koreja e Jugut, Polonia, Finlanda dhe vendet baltike.

Por paralelisht, ai lëshoi një paralajmërim të qartë për partnerët që, sipas tij, nuk përmbushin detyrimet në kuadër të mbrojtjes: ata mund të përballen me pasoja konkrete, përfshirë edhe sanksione.

Hegseth mbrojti gjithashtu kërkesën e presidentit Donald Trump për një buxhet rekord të mbrojtjes prej 1.5 trilionë dollarësh për vitin fiskal 2027, duke e cilësuar atë si të domosdoshëm përballë sfidave globale në rritje.

Sipas tij, kjo rritje synon të forcojë ndjeshëm kapacitetet ushtarake amerikane dhe të rikthejë industrinë e mbrojtjes në një nivel mobilizimi të ngjashëm me periudhat e luftës. “Po ndërtojmë një ushtri edhe më të fortë, për të përballuar një mjedis gjithnjë e më kompleks kërcënimesh,” theksoi ai.

Në fokus të deklaratave të tij ishte edhe Irani, për të cilin ai u shpreh se mbetet një nga sfidat kryesore të sigurisë. Ai theksoi se Teherani nuk duhet të lejohet të sigurojë armë bërthamore dhe se SHBA do të përdorin të gjitha mjetet për ta detyruar të ulet në tryezën e negociatave.

Hegseth komentoi gjithashtu edhe raportet me Kinën, duke theksuar se Uashingtoni synon një marrëdhënie më të balancuar, pa synuar dominimin, por duke ruajtur interesat strategjike amerikane.

Deklaratat e tij sinjalizojnë një qasje më të ashpër të administratës amerikane ndaj aleatëve dhe rivalëve njëkohësisht, në një kohë kur tensionet globale janë në rritje.