Kosova ka mbetur sërish pa president, pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke thelluar krizën institucionale në vend.
Në këtë situatë, ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar përmes një postimi publik, ku i ka bërë thirrje qytetarëve për bashkim dhe angazhim, duke theksuar se “rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, hapen nga populli”.
Në reagimin e saj, Osmani ka kritikuar ashpër klimën politike dhe diskursin publik, duke përmendur propagandën, urrejtjen dhe përçarjen si probleme kryesore të momentit. Ajo ka theksuar se aty ku ka propagandë dhe shpifje, duhet të mbrohet e vërteta.
Edhe pse nuk ka përmendur drejtpërdrejt emra, mesazhi i saj është interpretuar si kritikë ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe mënyrës së menaxhimit të situatës politike në vend.
Osmani ka bërë thirrje për “dashuri, shpresë dhe unitet”, duke i ftuar qytetarët të bashkohen në një “mision për të vërtetën dhe për vendin”.
Mesazhi i Vjosa Osmanit:
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritet edhe nga momentet shumë më të rënda. Prandaj ka ardh momenti që ta japim dashni dhe vetëm dashni për vendin tonë. Mjaft më me propagandë, mjaft më me urrejtje, mjaft më me përçarje, mjaft më me ndjellje të frikës, mjaft më. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm dashni për njëri tjetrin dhe për vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”









