“Për herë të parë pa rusë në sallë” – Tusk ironizon Orbanin

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi se në mesin e liderëve evropianë ndihet një “lehtësim i madh”, duke theksuar se për herë të parë pas shumë vitesh “nuk ka rusë në dhomë”, gjatë një samiti informal të mbajtur në Qipro.

Sipas raportimit të Politico, Tusk përdori edhe tone ironike gjatë takimit. Ai hodhi një “thumb” të lehtë në drejtim të kryeministrit hungarez Viktor Orban, duke sugjeruar me shaka se pas humbjes së fundit zgjedhore mund të mos marrë më pjesë në samite. Komenti u interpretua si reflektim i tensioneve të brendshme në Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, ai përmendi edhe praninë e kryeministrit sllovak Robert Fico, duke lënë të kuptohet për qëndrimet e tij shpesh kundër linjës së përbashkët evropiane. Më pas, Tusk publikoi në rrjetin social X frazën “asnjë rus në dhomë”, pa përmendur drejtpërdrejt liderë të tjerë.

Ndërkohë, Fico vijon të mbajë një qëndrim kritik ndaj politikave të BE për Ukrainën dhe, pas dobësimit të rolit të Orbanit, shihet gjithnjë e më i izoluar në Këshillin Europian.

Sipas diplomatëve evropianë, klima në takimet e fundit është dukshëm më pozitive, duke krijuar hapësirë për progres në çështje të bllokuara prej kohësh, si sanksionet, zgjerimi dhe ndihma për Ukrainën.

Në fund, Tusk përshëndeti edhe fitoren e Peter Magyar, duke theksuar se ajo dëshmon se “demokratët nuk janë humbës”. Ai përmendi gjithashtu zhvillime të ngjashme në kryeqytete si Varshava, Bukureshti, Kishinev dhe Budapesti, duke nënvizuar se ekziston ende një e ardhme për Evropën, demokracinë dhe sundimin e ligjit.