LAJMI I FUNDIT/ Pritet të rifillojnë në Islamabad negociatat SHBA–Iran, me ndërmjetësim të Pakistanit

Bisedimet e paqes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të rifillojnë në Pakistan, pas një ndërmjetësimi të autoriteteve pakistaneze, sipas burimeve diplomatike të cituara nga Sky News.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, pritet të udhëtojë drejt Islamabadit me një delegacion të vogël, ndërsa në kryeqytetin pakistanez raportohet se tashmë ndodhet një ekip amerikan i logjistikës dhe sigurisë.

Burimet thonë se diskutimet me ndërmjetësuesit pakistanezë mund të hapin rrugën për një raund të dytë negociatash mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas dështimit të përpjekjeve të mëparshme për bisedime të drejtpërdrejta.

Gjatë ditës, Araghchi ka zhvilluar gjithashtu takime me autoritetet pakistaneze, përfshirë ministrin e Jashtëm dhe përfaqësues të lartë ushtarakë, në kuadër të përpjekjeve për të lehtësuar dialogun mes palëve.