Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-deputetin Jurgis Çyrbja, si dhe për të pandehurit Altin Hajri dhe Ahmet Masha, lidhur me akuzat për dekonspirim të operacioneve policore.
Sipas vendimit, Çyrbja, i cili kishte kërkuar pafajësi, mbetet i dënuar me 3 vite burg, dënim që u ul në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, Altin Hajri është dënuar me 3 vite burg, ndërsa Ahmet Masha me 2 vite burg.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë periudhës maj 2020 – mars 2021, në disa episode, Çyrbja ka shpërndarë informacione të ndjeshme nga sistemi TIMS dhe të dhëna konfidenciale të Policisë së Shtetit, duke komprometuar operacione të ndryshme.
Çyrbja u arrestua në tetor 2024 dhe u lirua nga qelia në shkurt 2026 duke e shlyer dënimin, ndërsa vendimi i Apelit e bën përfundimtar dënimin ndaj tij dhe bashkëpandehurve.









