Kuvendi i Shqipërisë ka nisur zyrtarisht procedurat për zëvendësimin e drejtuesve të dy institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), pas përfundimit të mandateve kushtetuese të tyre.
Mandatet e drejtuesve aktualë kanë përfunduar, konkretisht të Mirela Bogdanit në krye të KLP-së dhe Ilir Rusit në krye të KLGJ-së, si dhe të zëvendëskryetares së KLGJ-së, Yllka Rupës, duke hapur kështu rrugën për zgjedhjen e emrave të rinj.
Sipas procedurave të përcaktuara, anëtarët e rinj do të zgjidhen nga radhët e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, në kategorinë e të ashtuquajturve “anëtarë jo-magjistratë”. Ky proces synon të sigurojë përfaqësimin e akademisë në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë.
Kandidatët duhet të kenë përvojë të spikatur akademike dhe të mos kenë mbajtur funksione politike në vitet e fundit, sipas kritereve të përcaktuara në ligj.









