Italia i bashkohet misionit ndërkombëtar për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit – Merr pjesë me 4 anije dhe 2 minapastruese

Italia ka vendosur të marrë pjesë në një mision shumëkombësh për garantimin e sigurisë detare në Ngushticën e Hormuzit, duke planifikuar dërgimin e deri në katër anijeve, përfshirë edhe dy minapastruese.

Sipas shefit të Shtabit të Marinës italiane, plani emergjent parashikon një grup detar të përbërë nga anije minahedhëse, një anije shoqëruese dhe një anije logjistike, të cilat do të angazhohen në operacionet e pastrimit dhe sigurimit të lundrimit.

Nisma vjen pas takimeve të zhvilluara në Paris mes liderëve evropianë, ku u diskutua krijimi i një koalicioni ndërkombëtar për të mbrojtur transportin detar në këtë zonë strategjike, e cila ka rëndësi të madhe për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit natyror të botës.

Autoritetet ushtarake italiane kanë bërë të ditur se vendi nuk do të veprojë i vetëm, por si pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar, ku pritet të marrin pjesë edhe shtete të tjera me kapacitete për pastrimin e minave detare, si Britania, Franca, Belgjika dhe Holanda.

Anijet italiane pritet të nisen nga porti i La Spezia-s dhe do të arrijnë në zonën e operacionit pas rreth katër javësh. Italia aktualisht disponon tetë minapastruese në shërbim aktiv.