SPAK zgjat me 3 muaj hetimet për Belinda Ballukun

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatin e hetimeve ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Vendimi është firmosur më 13 prill dhe u është komunikuar avokatëve të personave nën hetim. Sipas prokurorisë, nevojiten ende veprime të tjera hetimore për të plotësuar dosjen, ndaj është konsideruar e domosdoshme shtyrja e afatit.

Balluku po hetohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, në bashkëpunim me të tjerë, në lidhje me procedurat e ndërtimit të tunelit të Llogarasë. Ajo është gjithashtu nën hetim për procedura të tjera të dyshuara në lotet e Unazës së Madhe në Tiranë.

Hetimet e SPAK po vijojnë në disa drejtime, ndërsa çështja konsiderohet ndër më të rëndësishmet në fushën e prokurimeve publike dhe investimeve infrastrukturore.