Deklaratat kontradiktore mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kanë shtuar pasigurinë rreth afatit të armëpushimit me Iranin dhe ecurisë së negociatave.
Sipas raportimeve të medias izraelite Channel 12, Izraeli është informuar se afati i vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump për Iranin që të arrijë një marrëveshje skadon të dielën. Raporti citon zyrtarë amerikanë që pretendojnë se Teheranit i janë dhënë tre deri në pesë ditë kohë për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve, në të kundërt rrezikohet prishja e armëpushimit aktual.
Megjithatë, nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë këto pretendime. Zëdhënësja Caroline Leavitt deklaroi se raportimet për një afat të tillë nuk janë të sakta dhe se presidenti Trump nuk ka vendosur një kufi kohor të prerë për Iranin.
Ndërkohë, burime politike në Jerusalem shprehen skeptike për arritjen e një marrëveshjeje brenda afatit të përfolur, duke lënë të kuptohet se negociatat mund të zgjasin më shumë.
Armëpushimi aktual, që fillimisht ishte parashikuar të përfundonte pas dy javësh, është zgjatur nga presidenti amerikan pa një afat të qartë, duke shtuar më tej paqartësitë mbi zhvillimet e ardhshme.
Po ashtu, Shtëpia e Bardhë ka minimizuar rëndësinë e incidenteve të fundit në rajon, duke theksuar se ndalimi i dy anijeve nuk konsiderohet shkelje e armëpushimit.
Situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë, ndërsa zhvillimet e ditëve në vijim pritet të jenë vendimtare për fatin e marrëveshjes dhe stabilitetin në rajon.









