Autoritetet italiane kanë finalizuar një operacion të gjerë antidrogë, i cili ka çuar në arrestimin e tre personave të dyshuar për trafik narkotikësh, mes tyre dy shtetas shqiptarë.
Operacioni është zhvilluar nga Guardia di Finanza dhe Komanda e Parmës, pas një hetimi të gjatë që ka zbuluar një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të kokainës në disa rajone të Italisë veriore.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit akuzohen për trafikimin e rreth 60 kilogramëve kokainë, me një vlerë tregu që kalon 4 milionë euro. Njëri prej të dyshuarve, shtetas italian, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa dy shqiptarët janë lënë në paraburgim dhe përballen gjithashtu me akuza për pastrim parash.
Hetimet kanë nisur rreth një vit më parë, pas sekuestrimit të 8.4 kilogramëve kokainë dhe 41 mijë euro cash, të fshehura në një automjet me ndarje të modifikuar, i drejtuar nga një prej të dyshuarve shqiptarë.
Nga hetimet rezulton se njëri prej shqiptarëve kishte rol kryesor si korrier, duke bashkëpunuar me një shtetas italian për të shmangur kontrollet policore gjatë transportit të drogës në zona të ndryshme si Emilia-Romagna, Lombardia, Piemonte dhe Toskana.
Për të shmangur zbulimin, anëtarët e rrjetit përdornin telefona të koduar dhe komunikonin me fjalor të maskuar, duke iu referuar drogës me terma si “proshutë”, “birrë”, “pulë” dhe “bukë”.
Autoritetet italiane bëjnë me dije se korrierët kanë përfituar të paktën 51 mijë euro nga aktiviteti kriminal, shumë që tashmë është sekuestruar. Gjithashtu, një tjetër shqiptar dyshohet se ka menaxhuar një rrjet të gjerë shpërndarjeje me mbi 300 raste të dokumentuara shitjeje.
Në vijim të hetimeve, dy persona të tjerë shqiptarë po hetohen për pastrim parash, pasi dyshohet se kanë kanalizuar fitimet e paligjshme drejt palëve të treta ende të paidentifikuara.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve kriminale të trafikut të drogës në veri të vendit.









