Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se një marrëveshje e shumëpritur mes SHBA-së dhe Iranit mund të nënshkruhet “sot” në Islamabad, duke rritur ndjeshëm tensionet dhe pritshmëritë në skenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për Maria Bartiromo në rrjetin Fox News, Trump paralajmëroi me tone të ashpra se nëse negociatat dështojnë, SHBA mund të ndërmarrë veprime ekstreme ndaj Iranit. “Nëse nuk arrihet marrëveshja, do të shkatërrojmë çdo central energjie dhe çdo urë në Iran,” u shpreh ai, duke dhënë një nga deklaratat më të forta të kohëve të fundit.
Megjithatë, paqartësitë mbeten të shumta. Nuk është bërë e ditur saktësisht kur është zhvilluar intervista dhe nëse afati “sot” i referohet një momenti konkret. Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar asnjë marrëveshje të tillë dhe nuk ka njoftuar dërgimin e ndonjë delegacioni në Pakistan.
Burime nga Pakistan, të cituara nga New York Post, bëjnë me dije se Teherani mund të jetë i hapur për një raund të dytë negociatash, por ende nuk ka një vendim zyrtar.
Ndërkohë, Trump ka bërë të ditur se një delegacion i nivelit të lartë amerikan, ku përfshihen zëvendëspresidenti JD Vance, si dhe të dërguarit Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojë drejt Islamabadit për të vijuar bisedimet.
Kujtojmë se më 11-12 prill, Pakistani priti kontaktin e parë të drejtpërdrejtë në nivel të lartë mes SHBA-së dhe Iranit që nga viti 1979, kur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u ndërprenë. Megjithatë, ai raund negociatash përfundoi pa ndonjë përparim konkret, duke lënë situatën ende të tensionuar dhe të paqartë.









