Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 11 protestuesve të arrestuar gjatë tubimit të Partisë Demokratike të mbajtur të premten.
Gjatë seancës, avokatët mbrojtës kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Enkel Peza nga shqyrtimi i çështjes, duke ngritur pretendime për mungesë paanshmërie.
Sipas tyre, gjyqtari dhe familjarë të tij kanë pasur lidhje me strukturat lokale të Partisë Socialiste në Kavajë, çka, sipas mbrojtjes, mund të ndikojë në objektivitetin e vendimmarrjes.
Seanca vijon mes debatit procedural, ndërsa pritet vendimi i gjykatës lidhur me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit dhe më pas përcaktimi i masave të sigurisë për të arrestuarit.
Ngjarja vjen pas protestës së fundit të opozitës në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe ndërhyrje të forcave të rendit.









