Ngërçi për Presidentin e Kosovës – ministrja Kusari Lila për takimin Kurti–Abdixhiku: Shpresojmë marrëveshje…

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se vendi duhet të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe vonesat institucionale.

Duke folur për takimin e paralajmëruar mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ajo tha se deri tani vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur propozime konkrete për emrin e presidentit, ndërsa nga partitë e tjera nuk ka pasur nisma të qarta në këtë drejtim.

Sipas saj, procesi ka mbetur i hapur dhe pa zgjidhje konkrete nga të gjitha palët, përveç propozimeve të LVV-së.

Kusari-Lila u shpreh optimiste se mund të arrihet një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësia kryesore për negociatat i takon kryeministrit Kurti në cilësinë e kryetarit të LVV-së.

Ajo paralajmëroi se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të sillte kosto financiare dhe vonesa në funksionimin e institucioneve të shtetit.

“Zgjedhjet e reja përveç kostos do të shkaktonin edhe ngecje në funksionimin e institucioneve vitale,” u shpreh ajo.

Duke komentuar qëndrimet e partive opozitare, Kusari-Lila tha se nevojitet më shumë qasje konstruktive dhe propozime konkrete për të dalë nga ngërçi politik.

Ajo shtoi se vendi ndodhet në një fazë vendimtare për zgjedhjen e presidentit dhe paralajmëroi se mosarritja e marrëveshjes mund të çojë në shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të reja.