Partizani ngec në shtëpi – Bylis rrëmben një pikë me dramë

Partizani nuk arriti të shkojë më shumë se një barazim 1-1 ndaj Bylis, në sfidën e javës së 32-të në Kategoria Superiore, duke humbur një mundësi të artë për t’u ngjitur në renditje.

Ndeshja nisi me surprizë, pasi miqtë kaluan në avantazh që në minutën e dytë me Ferreira, i cili përfitoi nga një pasiguri në mbrojtjen vendase.

Reagimi i të kuqve ishte i shpejtë. Në minutën e 15-të, Partizani fitoi një penallti pas ndërhyrjes së gabuar të Markut ndaj Isgandarli. Ishte vetë sulmuesi që mori përgjegjësinë dhe barazoi shifrat nga pika e bardhë.

Pjesa e parë u mbyll pa ndryshime të tjera, ndërsa në të dytën sfida mori tjetër rrjedhë. Në minutën e 55-të, Partizani mbeti me një lojtar më pak, pasi Ismaili u ndëshkua me karton të kuq për prekje të topit me dorë, duke ndalur një aksion të rrezikshëm.

Me avantazhin numerik, Bylis tentoi më shumë, por pa arritur të konkretizojë. Nga ana tjetër, vendasit u përqendruan në ruajtjen e rezultatit.

Në fund, të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë. Partizani Tirana mbetet në vendin e pestë me 45 pikë, ndërsa Bylis Ballsh vijon të jetë në zonën e poshtme me 32 pikë.