Ukraina kundër lehtësimit të sanksioneve ndaj naftës ruse – Zelensky: “Çdo dollar financon luftën”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për ndërprerjen e eksporteve të naftës ruse, duke paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve ndaj Moskës po i jep mundësi Rusisë të vazhdojë luftën.

Në një reagim publik, Zelensky theksoi se mbi 110 anije cisternë nga e ashtuquajtura “flotë në hije” e Rusisë ndodhen aktualisht në det, duke transportuar më shumë se 12 milionë tonë naftë.

Sipas tij, kjo sasi përkthehet në rreth 10 miliardë dollarë të ardhura, të cilat, siç u shpreh ai, përdoren drejtpërdrejt për financimin e sulmeve ushtarake ndaj Ukrainës.

“Çdo dollar i paguar për naftën ruse është para për luftën”, deklaroi Zelensky, duke kërkuar që cisternat ruse të ndalohen dhe të mos lejohen të ankorohen në porte ndërkombëtare.

Presidenti ukrainas shtoi gjithashtu se gjatë javës së fundit Rusia ka intensifikuar sulmet, duke përdorur mijëra dronë, bomba ajrore të drejtuara dhe dhjetëra raketa të llojeve të ndryshme kundër territorit ukrainas.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur lufta mes Ukrainës dhe Rusisë vijon me intensitet të lartë dhe ndërkombëtarët diskutojnë për forcimin apo lehtësimin e sanksioneve ndaj Moskës.