“Nuk duhet të privohemi nga të drejtat bërthamore” – Pezeshkian: Irani kërkon përfundimin e konfliktit me SHBA me dinjitet

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij po kërkon t’i japë fund konfliktit me Shtetet e Bashkuara në mënyrë “dinjitoze”, duke theksuar se Irani nuk duhet të privohet nga të drejtat e tij bërthamore.

Gjatë një fjalimi në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, Pezeshkian tha se presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë sqarime për akuzat ndaj Iranit dhe për kufizimet e kërkuara ndaj programit bërthamor të Teheranit.

“Trump thotë se Irani nuk duhet të përdorë të drejtat e tij bërthamore, por nuk shpjegon se çfarë krimi ka kryer Irani,” u shpreh ai, sipas agjencisë ISNA.

Ai shtoi se Irani duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i vendosur përballë presioneve të jashtme, duke theksuar se vendi i tij po vepron në vetëmbrojtje.

“Ne po mbrojmë veten,” tha presidenti iranian.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa palët vijojnë përpjekjet për dialog dhe ulje të përplasjes.