Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë kanë qenë gjithmonë të ngushta dhe se këto lidhje janë forcuar edhe më tej gjatë qeverisjes së kryeministres Xhorxha Meloni.
Në edicionin e 15-të të sezonit të gjashtë të podcastit të tij “Flasim”, Rama bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore diplomatike të javës, duke u ndalur veçanërisht te vizitat e tij në Romë dhe Barcelonë dhe takimet me homologët italian dhe spanjoll.
Ai theksoi se Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë në procese të ndryshme politike dhe zhvillimore, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si të qëndrueshme dhe strategjike.
Duke folur për Spanjën, Rama u shpreh se perceptimi për Shqipërinë ka ndryshuar ndjeshëm ndër vite. Sipas tij, në të kaluarën vendi shpesh shoqërohej me paragjykime, ndërsa sot është kthyer në një destinacion të preferuar turistik për të rinjtë spanjollë.
Kryeministri shtoi se rritja e interesit turistik dhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë në Europë janë rezultat i zhvillimeve të viteve të fundit dhe i forcimit të marrëdhënieve diplomatike me vendet partnere.









