Zjarri te “Farmacia 10” në Tiranë – Rama: Rindërtim i plotë dhe bonus qiraje për banorët e prekur

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zjarrin që përfshiu pak ditë më parë një pallat në zonën e njohur si “Farmacia 10” në Tiranë, duke garantuar mbështetje për familjet e prekura dhe rindërtim të plotë të godinës.

Në një deklaratë të bërë në podcastin e tij “Flasim”, Rama e cilësoi ngjarjen si fillimisht shqetësuese, pasi flakët rrezikuan seriozisht banorët, por theksoi se falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve dhe forcave të rendit u shmang një tragjedi, pa viktima apo të lënduar rëndë.

Kreu i qeverisë bëri të ditur se pallati do të rindërtohet plotësisht nga ndërtuesi, ndërsa për familjet e dëmtuara do të ofrohet bonus qiraje deri në rikthimin në banesat e tyre, si dhe mbështetje nga bashkia e Tiranës për të përballuar situatën e krijuar.

Rama u shpreh se godina pritet të rikuperohet në një kohë relativisht të shkurtër, pasi struktura kryesore e saj (karabinaja) është ende e qëndrueshme.

Ai komentoi gjithashtu edhe reagimet në opinionin publik pas ngjarjes, duke kritikuar personat që, sipas tij, japin opinione pa njohuri profesionale, të cilët i cilësoi si “gjithologë pa licencë”.

Sa i përket shkaqeve të zjarrit, Rama tha se dyshohet për një shkëndijë elektrike dhe se nga verifikimet paraprake materialet e ndërtimit kanë rezultuar të certifikuara dhe të importuara.

Në përfundim, ai garantoi se asnjë familje e prekur nuk do të mbetet pa strehim dhe se procesi i rikthimit në banesa do të trajtohet me prioritet nga autoritetet.