Edi Rama po merr pjesë në Samitin ndërkombëtar “Në mbrojtje të demokracisë”, që po zhvillohet në Barcelona, ku janë mbledhur liderë dhe përfaqësues të lartë politikë nga vende të ndryshme.
Në nisje të punimeve, kryeministri shqiptar u prit nga homologu i tij spanjoll, Pedro Sánchez, në një takim protokollar që shënoi hapjen e aktivitetit.
Samiti fokusohet në çështje kyçe të demokracisë moderne, përfshirë forcimin e institucioneve, rolin e multilateralizmit dhe sfidat e krijuara nga dezinformimi dhe teknologjia digjitale. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mënyrave për të rregulluar hapësirën online dhe për të luftuar përhapjen e informacionit të rremë.
Gjithashtu, diskutimet përfshijnë edhe tema si ulja e pabarazive sociale dhe ekonomike, të cilat konsiderohen thelbësore për forcimin e demokracive në nivel global.
Gjatë samitit, Edi Rama pritet të zhvillojë takime bilaterale me António Costa dhe liderë të tjerë ndërkombëtarë, me fokus bashkëpunimin dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Në kuadër të vizitës, një ditë më parë delegacioni shqiptar vizitoi edhe Dhomën e Tregtisë së Katalonjës, një nga institucionet më të rëndësishme ekonomike në rajon.









