Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po rriten sërish, pasi Teherani paralajmëroi se mund të mbyllë Ngushtica e Hormuzit nëse vazhdon bllokada amerikane ndaj porteve iraniane.
Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, deklaroi se me vazhdimin e masave nga SHBA, kalimi në këtë korridor jetik nuk do të mbetet i lirë. Sipas tij, qarkullimi i anijeve mund të lejohet vetëm në kushte të kontrolluara dhe me autorizim nga autoritetet iraniane.
Pas një periudhe tensioni dhe bllokade, Irani kishte sinjalizuar më parë rihapjen e ngushticës gjatë armëpushimit, duke lejuar kalimin e cisternave dhe anijeve tregtare. Megjithatë, deklaratat e fundit nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili theksoi se bllokada detare do të vijojë deri në arritjen e një marrëveshjeje, kanë nxitur reagime të ashpra në Teheran.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, e cilësoi bllokadën si shkelje të armëpushimit dhe paralajmëroi kundërpërgjigje.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për furnizimin global me energji, ndaj çdo zhvillim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë gjeopolitike.









