UEFA ka hapur procedura disiplinore ndaj Bayern Munich pas ngjarjeve të ndodhura në fund të sfidës së Ligës së Kampionëve kundër Real Madrid në “Allianz Arena”.
Vendimi vjen pas raportimeve për incidente në tribunë, menjëherë pasi bavarezët shënuan golin vendimtar në kohën shtesë. Sipas informacioneve, disa tifozë kanë kapërcyer barrierat e sigurisë dhe janë afruar pranë fushës gjatë festimeve.
Në kaosin e krijuar, tifozët u grumbulluan pranë zonës së fotografëve, duke shkaktuar rrëmujë dhe duke rrezikuar sigurinë. Autoritetet kanë bërë të ditur se të paktën katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e incidentit.
Ndërkohë, policia kriminale në Mynih ka nisur një hetim paralel për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Edhe pse detajet e plota të masave nuk janë bërë ende publike, Bayerni rrezikon sanksione nga UEFA, që mund të përfshijnë gjoba apo masa të tjera disiplinore në varësi të përfundimeve të hetimit.









