Drejtuesja Politike e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu, ka qenë pranë familjeve të prekura nga zjarri që përfshiu një pallat banimi pranë zonës së njohur si “Farmacia 10” në Tiranë.
E shoqëruar nga deputetë socialistë si dhe përfaqësues të Bashkisë Tiranë, Manastirliu u njoh nga afër me situatën e krijuar dhe garantoi banorët se institucionet shtetërore dhe vendore janë të angazhuara maksimalisht për të ofruar mbështetje të menjëhershme dhe zgjidhje konkrete.
Në deklaratën e saj, ajo theksoi se prioritet absolut mbetet siguria dhe strehimi i familjeve të prekura, duke bërë të ditur se procedurat për përfitimin e bonusit të qirasë do të përshpejtohen.
“Kemi një angazhim të plotë politik dhe institucional për t’ju qëndruar pranë në këtë moment të vështirë. Bashkia Tiranë ka nisur menjëherë veprimet dhe shumë shpejt Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet për të miratuar bonusin e qirasë, pa vonesa administrative,” u shpreh Manastirliu.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve materiale, i cili po kryhet nga grupet e ekspertizës në terren. Sipas saj, çdo familje do të trajtohet në mënyrë individuale dhe dëmshpërblimi do të bazohet në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
“Vlerësimi po bëhet në mënyrë të detajuar dhe dëmshpërblimi do të finalizohet sa më shpejt. Ne, si përfaqësues të qytetit, do ta ndjekim hap pas hapi këtë proces për të shmangur çdo vonesë,” shtoi ajo.
Ndërkohë, krahas ndihmës për banorët, autoritetet kanë nisur edhe hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.









