Departamenti i Thesarit i SHBA-së ka vendosur të japë një përjashtim të përkohshëm për naftën ruse të bllokuar në det, duke lejuar dorëzimin dhe shitjen e saj në tregjet ndërkombëtare. Masa vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpiqen të zbusin rritjen e çmimeve të energjisë mes tensioneve me Iranin.
Sipas vendimit, lehtësimi zbatohet vetëm për naftën dhe nënproduktet e saj të ngarkuara në anije që nga 17 prilli, ndërsa dërgesat do të lejohen deri më 16 maj. Ky është një ndryshim i përkohshëm pas skadimit të një licence të mëparshme më 11 prill.
Vendimi vjen edhe pse më herët Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, kishte sinjalizuar se nuk do të kishte rinovim të këtij përjashtimi. Megjithatë, zhvillimet e fundit në treg dhe presionet ndërkombëtare duket se kanë ndikuar në ndryshimin e kursit.
Sipas burimeve ndërkombëtare, partnerë të rëndësishëm ekonomikë, gjatë takimeve të Banka Botërore dhe G20, kanë kërkuar vazhdimin e përjashtimit për shkak të presioneve të vazhdueshme në tregjet aziatike.
Ndërkohë, reagimi në tregjet globale ka qenë i menjëhershëm: çmimi i naftës bruto Brent ka rënë me mbi 9%, duke arritur në rreth 90.38 dollarë për fuçi, niveli më i ulët në më shumë se një muaj.
Autoritetet amerikane theksojnë se kjo lëvizje synon të garantojë furnizimin me energji në një periudhë negociatash të ndjeshme dhe pasigurish gjeopolitike.









