Barcelona po shqyrton opsione të reja për repartin ofensiv dhe një nga emrat që ka hyrë në radar është Vedat Muriqi. Sulmuesi i Mallorca po kalon një sezon shumë pozitiv në La Liga, duke tërhequr vëmendjen e drejtuesve katalanas.
Pas diskutimeve për emra të ndryshëm si Fisnik Asllani, klubi blaugrana ka intensifikuar vëzhgimet për Muriqin, i cili përputhet me profilin që trajneri Hansi Flick kërkon: një “numër 9” fizik, i fortë në zonë dhe me eksperiencë.
Ndërkohë, largimi i mundshëm i Robert Lewandowski ka shtuar nevojën për një sulmues të ri. Objektivi kryesor mbetet Julián Álvarez, por operacioni për ta marrë nga Atlético Madrid konsiderohet i vështirë për shkak të kostos dhe rivalitetit mes klubeve.
Sipas raportimeve të Sport, drejtori sportiv Deco ka kërkuar informacione për situatën e Muriqit përmes ndërmjetësve, pa hyrë ende në negociata direkte.
Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovë ka një klauzolë largimi prej rreth 40 milionë eurosh, por transferimi mund të realizohet edhe për një shumë më të ulët, në varësi të ecurisë së Mallorca-s këtë sezon.
Edhe pse është i lidhur me kontratë deri në vitin 2029, qëndrimi i Muriqit në ishull mbetet i pasigurt, veçanërisht nëse skuadra përballet me rrezikun e rënies nga kategoria.









