Ulen çmimet e karburanteve në Shqipëri – nafta zbret nën 200 lekë/litër

Bordi i Transparencës ka vendosur një ulje të re të çmimeve të karburanteve në Shqipëri, duke çuar naftën nën nivelin prej 200 lekësh për litër.

Sipas vendimit të fundit, çmimi i naftës është ulur me 13 lekë, duke arritur në 197 lekë/litër nga 210 që ishte më parë. Ndërkohë, edhe benzina ka pësuar një rënie më të lehtë prej 2 lekësh, duke u fiksuar në 172 lekë për litër.

Këto çmime kanë hyrë në fuqi më 18 prill, në orën 10:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku pritet një rishikim i ri në varësi të tregjeve.

Autoritetet kanë paralajmëruar të gjithë operatorët e tregut që të zbatojnë detyrimisht këto çmime, duke theksuar se shkeljet do të ndëshkohen me masa të forta, deri në pezullim aktiviteti.

Vendimi përfshin edhe çmimet me shumicë, ku nafta nuk duhet të kalojë 185 lekë/litër dhe benzina 160 lekë/litër.

Nga ana tjetër, institucionet si Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Financave, në bashkëpunim me Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksojnë se mbeten të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ për akcizat, çka nënkupton se do të zbatohet niveli i plotë i akcizës (100%).