Gjykata e Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për disa nga personat e ndaluar në lidhje me zjarrin që përfshiu një kompleks pallatesh pranë QSUT (Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza), duke i liruar nga arresti dhe duke caktuar ndaj tyre masën “detyrim paraqitje”.
Seanca për caktimin e masave u zhvillua paraditen e së premtes në Gjykatën e Tiranës, ku u paraqitën disa persona të lidhur me ndërtimin, administrimin dhe funksionimin e objektit të përfshirë nga flakët.
Mes të proceduarve figurojnë inxhinieri i ndërtimit Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i godinës Agron Cara, si dhe menaxherja e një subjekti tregtar që operonte brenda pallatit, Razie Sula.
Gjatë seancës, mbrojtja ka pretenduar se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia e fëmijëve, një version që mbetet ende në nivel pretendimi dhe nuk është konfirmuar nga hetimet zyrtare.
Ngjarja ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka ngritur shqetësime për standardet e sigurisë në ndërtesa, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë dhe përgjegjësitë konkrete të përfshira në rast.









