Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur pretencën ndaj ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, duke kërkuar dënimin e tij me 10 vite burg për çështjen e supervizimit të tunelit të Llogarasë.
Sipas prokurorisë, Berberi akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave, fshehjen e pasurisë, shpërdorimin e detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera publikë. Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i kërkuar mund të reduktohet me një të tretën në rast pranimi nga gjykata.
Në kuadër të kërkesës, SPAK ka kërkuar gjithashtu si masë plotësuese ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Prokuroria ka kërkuar edhe sekuestrimin e shumave të parave të gjetura gjatë kontrolleve në banesë, ku përfshihen 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë. Gjithashtu është kërkuar konfiskimi i pasurive të dyshuara të lidhura me Berberin.
Hetimet lidhen me procedurat e tenderimit dhe mbikëqyrjes së projektit të tunelit të Llogarasë, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend.









