Tensionet politike në Shtetet e Bashkuara janë përshkallëzuar, pasi demokratët në Dhoma e Përfaqësuesve kanë ngritur gjashtë akuza për shkarkim ndaj Pete Hegseth, duke e akuzuar për “krime dhe kundërvajtje të rënda”.
Sipas rezolutës së paraqitur nga kongresmenia Yassamin Ansari dhe mbështetur nga ligjvënës të tjerë si John Larson, Hegseth akuzohet se ka autorizuar veprime ushtarake ndaj Iranit pa miratimin e Kongresit, duke shkelur procedurat kushtetuese.
Në dokument theksohet gjithashtu se operacionet ushtarake kanë përfshirë sulme vdekjeprurëse ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge, si dhe dështim në respektimin e standardeve për minimizimin e viktimave civile gjatë konfliktit.
Një tjetër akuzë lidhet me sigurinë kombëtare, ku demokratët pretendojnë se Hegseth ka treguar “sjellje të pakujdesshme”, duke përmendur një incident në vitin 2025, ku informacione të klasifikuara janë shpërndarë përmes aplikacionit Signal.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur administrata e Donald Trump po përballet me kritika në rritje për politikën e jashtme, veçanërisht në lidhje me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, Pentagoni i ka hedhur poshtë akuzat. Zëdhënësi Kingsley Wilson i cilësoi ato si një përpjekje politike për të larguar vëmendjen nga arritjet e fundit të departamentit.









