Kryeministri në largim i Hungarisë, Viktor Orbán, ka reaguar pas humbjes së zgjedhjeve, duke deklaruar se beteja politike nuk ka përfunduar.
Përmes një postimi në platformën X, Orbán u shpreh se forca e tij politike do të riorganizohet dhe do të vijojë përpjekjet në mbështetje të qytetarëve hungarezë.
Pas 16 vitesh në pushtet, Orbán u mposht nga rivali i tij, Péter Magyar, i cili arriti të bashkojë opozitën dhe të fitojë mbështetje të gjerë publike.
Rënia e mbështetjes për Orbán lidhet edhe me një skandal të vitit 2024, që përfshinte faljen e një zyrtari të dënuar për fshehjen e një rasti abuzimi seksual ndaj të miturve, çka shkaktoi protesta masive dhe dëmtoi imazhin e partisë Fidesz.
Nga ana tjetër, Magyar ndërtoi mbështetjen përmes protestave dhe një fushate të gjerë në terren, duke shënuar sukses edhe në zgjedhjet europiane dhe duke përmbysur balancat politike në vend.









