Papa Leo XIV i përgjigjet drejtpërdrejt Trump: Nuk do të hesht përballë kritikave. Misioni im është paqja…

Papa Leo XIV ka reaguar për herë të parë pas sulmeve të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se nuk ndikohet nga presioni politik dhe se do të vazhdojë të mbajë qëndrimet e tij për paqen dhe pajtimin ndërkombëtar.

Duke folur për gazetarët gjatë një udhëtimi ajror drejt Algjerisë, Papa deklaroi se mesazhet e tij nuk kanë qëllim të sulmojnë askënd dhe se nuk ka ndërmend të hyjë në polemika politike me Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do të hyj në debat. Gjërat që them nuk kanë për qëllim të sulmojnë askënd,” u shpreh ai, duke shtuar se Kisha Katolike synon të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe jo ndarje.

Papa Leo XIV theksoi se roli i tij është të nxisë paqen dhe pajtimin mes popujve, duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë të shmangin konfliktet dhe të kërkojnë zgjidhje diplomatike.

“Duhet të kërkojmë mënyra për të shmangur luftën sa herë që është e mundur. Unë nuk kam frikë nga administrata Trump apo nga kritikat që vijnë prej saj. Ne nuk jemi politikanë, por predikojmë mesazhin e Ungjillit dhe paqes,” deklaroi Papa.

Deklaratat e tij vijnë pas kritikave të forta të Donald Trump, i cili e kishte quajtur Papën “të dobët në politikën e jashtme” dhe kishte shprehur pakënaqësi për qëndrimet e tij mbi konfliktin me Iranin dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Papa Leo XIV, i cili drejton rreth 1.4 miliardë katolikë në mbarë botën, ka shtuar thirrjet për ndalimin e luftërave dhe ka dënuar ashpër përshkallëzimin e konflikteve globale, duke u pozicionuar si një zë i fortë pro paqes në arenën ndërkombëtare.