Irani ndez alarmin e luftës detare: ‘Nëse preken portet tona, asnjë port në rajon nuk është i sigurt’”

Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit kanë lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kulmin e tensioneve për kontrollin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe në ujërat strategjike të Gjirit Persik dhe Detit të Omanit.

Në deklaratën e tyre, autoritetet ushtarake iraniane theksojnë se çdo veprim që cenon sigurinë e porteve iraniane do të sjellë pasoja të menjëhershme për të gjithë rajonin detar, duke paralajmëruar se “asnjë port në Gjirin Persik dhe në Detin e Omanit nuk do të mbetet i sigurt”.

Ky reagim vjen pas njoftimeve nga Uashingtoni për vendosjen e një bllokade detare ndaj porteve iraniane, vendim i marrë pas dështimit të bisedimeve mes palëve, të cilat përfunduan pa marrëveshje dhe me akuza të ndërsjella.

Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë së Iranit ka deklaruar se portet dhe rrugët detare në rajon duhet të trajtohen sipas parimit “ose për të gjithë, ose për askënd”, duke e konsideruar mbrojtjen e sovranitetit detar si një të drejtë të patjetërsueshme kombëtare.

Sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB, Teherani e sheh kontrollin mbi ujërat e tij territoriale si pjesë të pandashme të sigurisë kombëtare dhe nuk pranon kufizime të vendosura nga forca të jashtme.

Në deklarime të mëtejshme, Irani ka theksuar se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit do të vazhdojë normalisht për anijet civile dhe tregtare, por ka paralajmëruar se mjetet detare të lidhura me “forca armiqësore” nuk do të lejohen të kalojnë pa kontroll.

Autoritetet iraniane e kanë cilësuar praninë ushtarake amerikane në rajon si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe kanë akuzuar Uashingtonin për “pirateri detare” dhe përpjekje për të imponuar kufizime të paligjshme në një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë globale të energjisë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa çdo lëvizje në Ngushticën e Hormuzit shihet si me rrezik të lartë për përshkallëzim më të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar.