Arrestohet në kufi ish-drejtori i Shërbimeve Komunitare, Adriatik Onjea – Ishte shpallur në kërkim pas vdekjes së punonjësit”

Është ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës ish-drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare, Adriatik Onjea, i cili ishte shpallur në kërkim pas një ngjarjeje tragjike ku humbi jetën një punonjës gjatë kryerjes së detyrës.

Ngjarja ndodhi më 3 mars 2025 në lagjen “Zinxhira” në Gjirokastër, ku një punonjës u rrëzua nga kati i dytë i një godine private gjatë punimeve për pastrimin e objektit. I plagosur rëndë, ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ndërroi jetë disa ditë më vonë.

Pas incidentit, Onjea kishte kaluar kufirin dhe qëndronte në Janinë, pavarësisht se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe prishje të provave.

Aktualisht, Onjea ndodhet në spitalin e burgut në Gjirokastër, pasi ka raportuar probleme shëndetësore, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga autoritetet për zhvillimet e fundit.

Në lidhje me këtë çështje, janë arrestuar edhe tre persona të tjerë për shkelje të rregullave të sigurisë në punë, ndërsa për dy përgjegjës teknikë është vendosur masa “arrest me burg” dhe për një tjetër “arrest shtëpie”.