Ivanka Trump ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera të jetës së saj, duke folur hapur për sfidat personale dhe momentet më të vështira që ka përjetuar familja e saj në vitet e fundit.
Në një intervistë emocionale në podkastin The Diary of a CEO, ajo u shfaq e përlotur teksa kujtoi humbjen e nënës së saj, Ivana Trump.
“Nëna ime më mësoi të dua atë që bëj… humbja e saj ishte diçka që të ndryshon përgjithmonë”, u shpreh ajo, duke shtuar se ende përpiqet të përballet me dhimbjen.
Ivanka ndau gjithashtu momente të veçanta nga jeta familjare, duke folur me dashuri për gjyshen e saj, Marie Zelníčková, e cila jeton me familjen e saj dhe mban gjallë kujtimet për nënën përmes historive që u tregon fëmijëve.
Një nga periudhat më të vështira për të, sipas saj, ishte përballja me sëmundjen e bashkëshortit, Jared Kushner, i cili ka luftuar me kancerin e tiroides. Ai iu nënshtrua ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë dhe pas periudhës në Shtëpinë e Bardhë.
“Ishte një betejë e tmerrshme”, rrëfeu Ivanka, duke shtuar se kjo situatë, së bashku me humbjen e nënës, e shtyu të kërkonte ndihmë përmes psikoterapisë.
Ajo u ndal edhe te një tjetër moment tronditës: atentati ndaj babait të saj, Donald Trump, në Butler, Pennsylvania. Ivanka tregoi se e ndoqi ngjarjen drejtpërdrejt në televizor, ndërsa ndodhej me fëmijët e saj.
“Isha e tmerruar… por kur pashë që ai ishte mirë, e kuptova se nuk ishte koha e tij”, tha ajo.
Në një moment reflektimi, Ivanka zbuloi se ka zgjedhur të falë autorin e dyshuar të sulmit, Thomas Crooks.
“Falja është e vështirë, por e nevojshme. Nuk mund të marrësh asgjë si të mirëqenë në jetë”, u shpreh ajo.
Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e fortë mbi përballjen me humbjen, sëmundjen dhe frikën, duke treguar një anë më personale dhe të ndjeshme të jetës së një prej figurave më të njohura të familjes Trump.









