Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, ka sqaruar deklaratat e tij lidhur me një koment të diskutuar gjerësisht në media, ku u interpretua se ai e kishte quajtur “babush” presidentin amerikan Donald Trump.
Gjatë një vizite në Uashington, pas takimit me Trump, Rutte u përball me pyetjen e një gazetareje nëse ai e konsideron ende presidentin amerikan me këtë term.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një keqkuptim gjuhësor dhe jo për një vlerësim personal.
“Duhet ta sqaroj këtë çështje, sepse është keqinterpretuar. Nuk e quajta ‘babushi im’. Në një bisedë në gjuhën holandeze përdora një shprehje që më pas u përkthye gabim”, shpjegoi Rutte.
Sipas tij, deklarata ishte bërë në kontekstin e një takimi para samitit të NATO-s në Hagë, kur Trump ishte i irrituar për zhvillimet që lidhen me Iran dhe Izrael.
“Thashë diçka në kuptimin që ndonjëherë një ‘baba’ duhet të jetë i ashpër, por kjo u përkthye si ‘babush’. Nuk ishte një titull personal”, shtoi ai.
Rutte e mori me humor situatën, duke theksuar se termi tashmë është bërë pjesë e diskutimeve publike.
“Fjala ka marrë një kuptim të veçantë dhe duket se do të më ndjekë gjatë. Edhe presidenti e mori me sportivitet, madje e ktheu në diçka argëtuese”, tha ai duke buzëqeshur.
Deklarata ka ngjallur reagime dhe komente në media dhe rrjetet sociale, duke u kthyer në një episod të pazakontë në komunikimin diplomatik mes liderëve.









