Mesazh i fortë nga Teherani – Khamenei: Irani nuk synon luftë, por nuk bën kompromis për të drejtat e tij

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka deklaruar se vendi i tij nuk kërkon përshkallëzim të konfliktit, por mbetet i vendosur të mbrojë të drejtat e tij pa kompromis.

Deklarata u bë në përkujtim të 40-ditorit nga vrasja e babait të tij, Ali Khamenei, ku ai theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të qytetarëve në jetën publike. Sipas tij, pjesëmarrja e popullit gjatë kësaj periudhe ka qenë një shenjë e fortë solidariteti dhe uniteti kombëtar.

“Irani nuk kërkon luftë, por nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij,” u shpreh ai, duke nënvizuar qëndrimin e palëkundur të Teheranit në raport me zhvillimet ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, Khamenei kritikoi ashpër fuqitë globale, duke i akuzuar se kanë treguar “fytyrën e tyre të vërtetë” përmes veprimeve që, sipas tij, kanë prekur edhe civilët, përfshirë fëmijët iranianë.