Izraeli drejt dialogut me Libanin – Netanyahu urdhëron nisjen e menjëhershme të negociatave

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se qeveria e tij do të nisë pa vonesë negociata të drejtpërdrejta me Libanin, duke hapur rrugën për një fazë të re dialogu mes dy vendeve.

Vendimi, sipas tij, vjen si përgjigje ndaj kërkesave të vazhdueshme nga autoritetet libaneze për të vendosur komunikim të drejtpërdrejtë dhe për të adresuar çështjet e hapura mes palëve. Netanyahu bëri të ditur se i ka dhënë udhëzime kabinetit që procesi të fillojë sa më shpejt.

Bisedimet pritet të përqendrohen kryesisht në çështje sigurie, përfshirë çarmatimin e Hezbollahut, si dhe në mundësinë e ndërtimit të marrëdhënieve më të qëndrueshme dhe paqësore mes Izraelit dhe Libanit.

Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm diplomatik në një rajon të tensionuar prej vitesh, ku çdo përpjekje për dialog konsiderohet thelbësore për stabilitetin afatgjatë.